Çfarë Besojmë Ne

Parathënie

Synimi i kësaj Shpalljeje të të Vërtetave Themelore është thjesht si një bazë për besim, bashkësi dhe bashkëpunim midis nesh. Frazeologjia e përdorur në këtë shpallje nuk është e frymëzuar, por e vërteta e parashtruar është thelbësore për një shërbesë të vërtetë Pentakostale. Nuk pretendohet se përmban të gjithë të vërtetat biblike, megjithatë mbulon nevojën tonë për këto doktrina thelbësore.

Shkrimet e Frymëzuara

Shkrimet, si Dhjata e Vjetër ashtu edhe ajo e Re, janë Fjala e Perëndisë, gojarisht e frymëzuar dhe e shkruar; dhe janë zbulesa e Perëndisë për njeriun, e vetmja normë e pagabueshme, autoritare e besimit dhe e sjelljes (2 Timoteut 3:15-17; 1 Thesalonikasve 2:13; 2 Pjetrit 1:21).

I Vetmi Perëndi i Vërtetë

I vetmi Perëndi i vërtetë dhe i gjallë është i përjetshëm, vetëkzistues, dhe ka zbuluar vetveten si një qenie në tre persona: At, Bir dhe Frymë e Shenjtë (Ligji i Përtërirë 6:4; Isaia 43:10, 11; Mateu 3:16-17; 28:19; Lluka 3:22).

Perëndia At

Perëndia At ekziston përjetësisht si Krijuesi i qiellit dhe tokës, Dhënësi i Ligjit, të cilit të gjitha gjërat do t’i nënshtrohen në mënyrë që Ai të mund të jetë gjithçka në gjithçka (Zanafilla 1:1; Ligji i Përtërirë 6:4; 1 Korintasve 15:28).

Zoti Jezus Krisht

Zoti Jezus Krisht ishte dhe është Biri i amshuar i Perëndisë. Ai u mishërua nga Fryma e Shenjtë dhe u lind nga virgjëresha Mari. Shkrimi deklaron jetën e Tij të pamëkatshme, shërbesën e mrekullive, vdekjen zëvendësuese shlyese, ringjalljen trupore, ngjitjen ngadhënjyese dhe ndërmjetësimin e vazhdueshëm (Isaia 7:14; Mateu 1:23; 28:6; Lluka 1:31,35: 24:39; Hebrenjve 1;3; 7:25-26; 1 Pjetrit 2:22; Veprat 1:9; 2:22; 2:33; 10:38; 1 Korintasve 15:3-4; 2 Korintasve 5:21; Filipianëve 2:9-11).

Fryma e Shenjtë

Fryma e Shenjtë vjen nga Ati dhe Biri dhe është gjithmonë e pranishme dhe aktive në bindjen dhe rigjenerimin e mëkatarit, duke shenjtëruar besimtarin në ngjashmëri me Krishtin dhe në të gjithë të vërtetën, duke e fuqizuar atë për shërbesë (Gjoni 14:26; 16:8-11; 1 Pjetrit 1:2; Romakëve 8:14-16; Veprat 1:8).

Rënia e Njeriut

Njeriu u krijua i mirë dhe i drejtë, në imazhin dhe ngjashmërinë e Perëndisë. Megjithatë, njeriu zgjodhi të mëkatojë dhe të mos i bindej Perëndisë (shkelje e vullnetshme), gjë që rezultoi në largimin e tij nga Perëndia, dhe rrjedhimisht shkaktoi jo vetëm vdekje fizike por dhe frymërore, e cila është ndarja nga Perëndia (Zanafilla 1:16-27; 2:17; 3:6; Romakëve 5:12-19).

Shpëtimi i Njeriut

Rruga dhe shpresa e vetme e njeriut për shpëtim është nëpërmjet Jezus Krishtit, Birit të Perëndisë. Shpëtimi është një dhuratë e hirit të Perëndisë e marrë nëpërmjet pendimit ndaj mëkateve dhe besimit në Jezus Krishtin, i cili vdiq për mëkatet tona, u varros dhe u ringjall nga vdekja ditën e tretë. Me anë të gjakut të Tij shlyes nëpërmjet sakrificës në kryq u sigurua shpëtimi për gjithë njerëzimin. Kjo përvojë njihet gjithashtu si rilindja dhe është vepra e menjëhershme dhe e plotë e Frymës së Shenjtë, ku mëkatari që beson rigjenerohet, shfajësohet dhe adoptohet në familjen e Perëndisë; bëhet një krijesë e re në Krishtin Jezus dhe trashëgimtar i jetës së përjetshme. Dëshmia e brendshme e shpëtimit është dëshmia e drejtpërdrejtë e Frymës së Shenjtë dhe dëshmia e jashtme është një jetë drejtësie dhe shenjtërie të vërtetë (Lluka 24:47; Gjoni 3:5-6; Romakëve 8:16; 10:8-15; Efesianëve 2:8; 4:24; Titit 2:11-12, 3:4-7; 1 Gjonit 5:1).

Shërimi Hyjnor

Shërimi hyjnor është një pjesë integrale e Ungjillit. Çlirimi nga sëmundja sigurohet në punën shpenguese të Krishtit në kryq dhe është privilegj i të gjithë të krishterëve në përgjigje të lutjes me besim (Isaia 53:4-5; Mateu 8:16-17; Jakobi 5:14-16).

Kisha dhe Misioni i Saj

Kisha është trupi i Krishtit dhe banesa e Perëndisë nëpërmjet Frymës, një dëshmi e mbretërisë së Perëndisë në botën e tashme dhe përfshin të gjithë ata që janë të rilindur, universalisht (Efesianëve 1:22-23; 2:22; Romakëve 14:17-18; 1 Korintasve 4:20).
Ne besojmë se misioni i kishës është (1) të lavdërojë Perëndinë nëpërmjet Jezus Krishtit, (2) të ungjillizojë të humburit frymërorë të botës nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë (3) të ndërtojë dhe të përgatisë besimtarë për shërbesë frymërore dhe (4) të tregojë dhembshuri të krishterë për të gjithë ata që vuajnë (Mateu 28:19-20; 10:42; Efesianëve 4:11-13).

Urdhëresat e Kishës

Pagëzimi në ujë me anë të zhytjes pritet prej të gjithë atyre që janë penduar dhe besojnë. Kështu ata i deklarojnë botës se kanë vdekur me Krishtin dhe se janë ngritur me Të për të ecur në risinë e jetës (Mateu 28:19; Veprat 10:47-48; Romakëve 6:4).
Darka e Zotit është një përkujtimore dhe shpallje e vuajtjes dhe vdekjes së Zotit tonë Jezus Krisht, për tu ndarë me të gjithë besimtarët derisa Zoti të kthehet (Lluka 22:14-20; 1 Korintasve 11:20-34).

Shenjtërimi

Shenjtërimi është një akt ndarjeje nga e keqja dhe përkushtimi ndaj Perëndisë. Sipas përvojës është si i menjëhershëm, ashtu edhe progresiv. Ai vjen në jetën e besimtarit nga përvetësimi i përditshëm i fuqisë së gjakut dhe ringjalljes së Krishtit nëpërmjet personit të Frymës së Shenjtë. Ai e tërheq vëmendjen e besimtarit tek Krishti, mëson atë nëpërmjet Fjalës dhe prodhon karakterin e Krishtit në të (Romakëve 6:1-11; 8:1-2,13; 12:1-2; Galatasve 2:20; Hebrenjve 10:10,14).

Pagëzimi në Frymën e Shenjtë

Pagëzimi në Frymën e Shenjtë është për besimtarin dhurata për fuqi dhe dhunti për jetën dhe shërbesën ndaj Krishtit. Të gjithë besimtarët kanë të drejtë dhe duhet të presin e të kërkojnë me zjarr këtë premtim nga Ati sipas urdhërit të Zotit tonë Jezus Krisht. Kjo përvojë dallohet nga lindja e re, e pason atë, dhe merret me besim. Fillimisht dallohet nga manifestimi i të folurit në gjuhë të tjera ashtu si Fryma jep shprehjen dhe pastaj shoqërohet me një përkushtim më të madh ndaj Perëndisë dhe punës së Tij (Lluka 24:49; Veprat 1:8; 2:1-4; 8:15-19; 10:44-46; 11:14-17; 15:7-9; 19:1-7; 1 Korintasve 12; Efesianëve 4:11-13).

Kthimi i Krishtit dhe Gjykimi Përfundimtar

Jezusi premtoi se do të kthehet në tokë dhe se besimtarët që kanë vdekur do të ringjallen dhe do të rrëmbehen bashkë me besimtarët që janë gjallë. Kjo është shpresa e afërt dhe e bekuar e Kishës. Pas një periudhe mjerimi të madh në tokë, Jezusi do të kthehet në fuqi dhe lavdi për të mbretëruar për njëmijë vjet. Pas kësaj, do të ketë një gjykim përfundimtar në të cilin të liqtë e vdekur do të ngrihen dhe gjykohen sipas punëve të tyre. Emri i cilitdo që nuk gjendet i shkruar në Librin e Jetës do të dënohet me ndëshkim të përjetshëm në liqenin e zjarrit së bashku me djallin dhe engjëjt e tij. Kjo është vdekja e dytë. Pas kësaj, siç premtoi, Perëndia do të bëjë një qiell të ri dhe një tokë të re, në të cilën ne si besimtarë në Krishtin do të jetojmë me Zotin përgjithmonë (Gjoni 14:1-4; 1 Thesalonikasve 4:13-17; Titit 2:13; 1 Korintasve 15:51-52; Zakaria 14:5; Mateu 24:27,30; 25:46; Marku 9:43-48; 2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 1:7; 7:14; 19:11-14,20; 20:1-6, 11-15; 21-22).